Sveçla: Nesër është mundësia që grupet nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votimet e zgjedhjeve në veri, të dielën.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se e nesërmja, dita e zgjedhjeve, paraqet mundësinë që grupet e dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq të marrin përgjigjen e tyre e njëherit dhe jo vetëm.

“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar Sveçla.

Gjersa ka përmendur kërcënimet e deritanishme ndaj komunitetit serb, ky i fundit ka thënë se si shkak i ndikimit nga shteti serb, shumë kandidatë janë dorëhequr.

“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme. Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, ka shkruar Sveçla.