Sveçla fton sërish vrasësin të dorëzohet: Jemi mobilizuar si asnjëherë më parë për zbardhjen e rastit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përsëri i ka bërë thirrje dorasit të tragjedisë në Gllogjan të dorëzohet.

Ai i ftoj, nëse ka pasur, edhe bashkëpunëtorët e tij të dorëzohen në Polici.

Sveçla tha se institucionet janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve.

Postimi:

Të dashur qytetarë,

Të gjithë bashkërisht jemi të tronditur për vrasjen makabre që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, me ç’rast mbetën të vdekur tre qytetarë tanë. Jam i vetëdijshëm për ankthin që e përjetoni të gjithë, e veçanërisht familjet e viktimave, që presin me padurim kapjen e vrasësit dhe vendosjen e drejtësisë.

Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet.

Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës. Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve.

Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar.