Sveçla denoncon Listën Serbe se po iu bën presion serbëve të marrin pjesë në protesta

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka denoncuar Listës Serbe se po iu bën presion qytetarëve serbë të marrin pjesë në protesta përmes nënshkrimit nëpër lista se kanë qenë prezentë në protestë.

Ai ka publikuar edhe fotografi të qytetarëve serbë duke u nënshkruar derisa ka thënë se serbët po kërcënohen se nëse nuk marrin pjesë në protestë do të kenë pasoja.

“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, ka shkruar Sveçla në Fb.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

“Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, ka shtuar ai.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar pasi kryetarët e komunave veriore e zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të bojkotuara nga serbët, nisën punën në objektet komunale. Pas kësaj, nisën protestat e banorëve lokalë, të mbështetur edhe nga grupe tjera, të cilat u konfrontuan me policët dhe KFOR-in.