Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se objekti i kompanisë “Elektrokosmet” është sulmuar me mjet shpërthyes në veri të Mitrovicës, duke akuzuar strukturat paralele serbe për këtë veprim, siç ka thënë ai, për të bërë presion ndaj kompanisë.

Sveçla tha se nga sulmi nuk ka ndonjë person të lënduar, pos dëmeve materiale.

“Rasti po hetohet nga organet e rendit”, u shpreh Sveçla, përcjell EO.

Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:30 në objektin e elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

BesiBesim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për veriun ka njoftuar se fillimisht është menduar për zjarrvënie, por më vonë është konfirmuar se ishte shpërthim.

Ai tha se përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

Si pasojë e këtij shpërthimi një trafo është dëmtuar krejtësisht dhe disa automjete të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti, ndërkaq rasti po hetohet.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së.