“Suxhuku”, qeni endacak që kujdeset për fëmijët në Gjeorgji

Ka katër emra, katër këmbë, zemër të mirë ndërsa rrugët i ka shtëpi. Kjo mund të duket një gjëegjëzë e çuditshme dhe e vështirë për t’u qëlluar, por është një realitet i thjeshtë i një qeni gjerogjian i cili së fundmi është bërë figura më e dashur e vendit, duke u shndërruar në yll dhe duke u bërë i famshëm në mbarë botën.

Por, përse po merr kaq shumë famë ky qen?

Beqa Tsinadze, një përdorues i Facebookut nga Batumi, Gjeorgji, ka publikuar një video në faqen e tij më 20 janar që shfaqte qenin duke i ndihmuar fëmijët të kalojnë rrugën. Qeni shihet duke i lehur shoferët që nuk ndalojnë në vendkalimin për këmbësorë, duke kërkuar nga ta të frenojnë dhe t’i lënë fëmijët të kalojnë në anën tjetër, raporton Georgiatoday.

Qeni, që duket sikur të jetë trajnuar në Hollywood, në një skenë që mund të kishte ardhur nga ndonjë film i Disneyt, shpejt mori vëmendjen e publikut, duke iu hyrë njerëzve në zemër. Videoja e tij ka mbledhur me miliona shikime si dhe është bërë sensacion në mediat amerikane: USA Today, ABC News dhe CBS News kanë qenë ato që kanë raportuar për “heroin” gjeorgjian.

Disa e quajnë atë Bimi, disa Kursha, disa Kupata, dhe disa të tjerë Tetra. Të tjerët duhet t’i gjejnë ndonjë emër tjetër. Ai është qen endacak i moshës rreth 4-vjeçare që jeton në rrugën Memed Abashidze në Batumi.

“Ai i do fëmijët shumë. Nëse i sheh ata duke pritur për të kaluar rrugën, ai menjëherë do t’u dalë në ndihmë, e madje edhe mund t’i pres ata në park”, ka thënë qytetarja Nona Zakareishvili për “Radio Tavisupleba”. Zakareishvili e ka ushqyer qenin për vite me radhë, dhe ai gjithnjë fle tek dera e shtëpisë së saj.

Edhe mishtoret në Batumi e ushqejnë atë. Meqë ai ushqehet mirë nga banorët, një kasap ka vendosur ta quajë atë “Kupata”, që në nga gjuha gjeorgjiane në shqip i bie “Suxhuk”.

Ndërkaq, Departamenti i Turizmit Adjara e ka nderuar qenin e famshëm. Më 22 janar, Departamenti i bleu atij një shtëpi: streha e tij e re nga moti i ftohtë ka një yll në të dhe shkruan “I përzgjedhuri i Popullit”.