Suspendohet zyrtari i shtetit që bëri seks në veturë zyrtare në mes të rrugës

Vetura në të cilën dyshohet se një zyrtar i shtetit kreu marrëdhënie seksuale në mes të rrugës e në pikë të ditës në prill të këtij viti, shfrytëzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Por, se cili zyrtar shtetëror e përdori veturën zyrtare për t’i shuar epshet ende nuk po dihet. Në Këshillin Prokurorial nuk kanë pranuar të tregojnë emrin e tij, vetëm deklarojnë se i njëjti është suspenduar për dy muaj dhe se Komisioni Disiplinor ka nisur procedurat ndaj tij.

Në mes të rrugës e në pikë të ditës një zyrtar i shtetit ndaloi për disa minuta në mes të rrugës Prishtinë-Pejë, në afërsi të fshatit Balincë. E arsyeja për të cilën shoferi i këtij automjeti ndaloi aty nuk ishte edhe fort e zakonshme.

Vetura e parkuar aty u ra në sy disa qytetarëve që po e frekuentonin magjistralen atë ditë. Ata e filmuan zyrtarin shtetëror duke kryer marrëdhënie seksuale në pikë të ditës brenda veturës që e gëzonte si luks nga shteti.

Por, se cili ishte zyrtari që nuk arriti të duronte deri në një nga motelet në afërsi për t’i shuar epshet ende nuk po dihet.

Në Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk kanë pranuar që të tregojnë emrin e këtij zyrtari, vetëm thonë se kjo veturë shfrytëzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Deklarojnë se ndaj zyrtarit janë marrë masa.

Zëdhënësi i KPK-së, Bedri Gashi i ka thënë Gazetës Express se ata kanë marrë vendim për pezullim nga ushtrimi i detyrave zyrtare menjëherë pas këtij rasti.

“Sekretariati i KPK-së ka ndërmarrë veprimet e nevojshme menjëherë pasi është raportuar për këtë rast, ditën e nesërme, më 19.04.2019, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit ka marrë vendim për pezullimin nga ushtrimi i detyrave zyrtare me pagesë 50 % të pagës deri në tre (3) muaj në pritje të një hetimi disiplinor”, ka thënë Gashi.

Deklaron se ndaj tij është filluar procedura disiplonore dhe se është marrë vendim për ta suspenduar për një periudhë prej dy muaj, dhe se aktualisht ai vazhdon të jetë i suspenduar.

“Ndërkohë, Komisioni Disiplinor i Sekretariatit të KPK-së, ka filluar procedurën disiplinore ndaj këtij zyrtari, me ç’rast në përfundim të hetimeve disiplinore është marrë vendim për shqiptimin e masës disiplinore “Pezullim i ushtrimit të detyrave dhe ndalim i 1/3 të rrogës për një periudhë prej dy (2) muaj. Ai vazhdon të jetë i suspenduar”, thuhet në përgjigjet e Gashit.

Por, ky nuk është rasti i vetëm që një veturë e shtetit keqpërdoret. Zyrtarët e shtetit i shfrytëzojnë këto vetura edhe për punë personale.

Ditën e djeshme, një veturë me targa 3Z brenda së cilës ndodhej një prej 70 zëvendësministrave është zënë mat në njërën prej autostradave, derisa personat brenda kishin të vendosur këmbët mbi pjesën e përparme të veturës.

E pavarësisht këtyre rasteve që janë edhe të filmuara në Ministrinë e Administratës Publike deklarojnë se ata nuk kanë evidentuar asnjë rast të keqpërdorimit të veturave zyrtare.

“Në Ministrinë e Administratës Publike nuk është shënuar as një rast i keqpërdorimit të veturave zyrtare”, thuhej në përgjigjet e MAP’it.

Ndërkohë, janë më shumë se 900 vetura që janë në dispozicion të ekzekutivit.

Qeveria e Kosovës, përdorimin e automjeteve, e kishte rregulluar prej kohës së UNMIK-ut. Aty, parashihej që veturat zyrtare mund të përdoreshin vetëm prej Ministrave, Zëvendësministrave, Sekretarëve Permanent dhe Shefave të Kabineteve.

Po ashtu ky udhëzim parasheh përdorimin 24 orësh të veturave gjithmonë për qëllime pune.

Ndryshe, Kryeministri Haradinaj, në fillim të punës së tij si i pari i ekzekutivit kishte thënë se kushdo që keqpërdor resurset shtetërore do të ndëshkohet. Të njëjtën e kishte thënë se ministri Vadrin Lluka.

loading…