Surroi: Para Rambouillet-së nga UÇK-ja kisha njohur vetëm Halitin dhe Bujën

Kelmendi: Dhe do të ishte hera e parë kur doktor Rugova do të pranonte që të dilte dikush tjetër para tij, ndodhi në Rambouillet, kur pjesë e delegacionit u caktua Hashim Thaçi.

Veton Surroi: Rugova, në fakt, u tregua shumë me takt, ndonëse ka qenë njëri me takt, ai në komunikimin politik të kësaj natyre nuk ka qenë i tillë, nuk ka qenë shumë komunikues. Në mbledhjet e tij me kryesinë kanë zgjatur rreth 20 minuta, nuk ka folur kush. Kështu që nuk ka qenë shumë komunikativ, në këtë rast u tregua si një njëri që kishte një pasqyrë më të gjerë dhe shihte nga një këndvështrim tjetër. Unë po ashtu insistova që të përkrahja idenë e UÇK-së, sepse ndonëse jo si parakusht, sepse mendoja se në fakt në fund, e fundi do të duhej të ishte fundi i luftimeve dhe ishin ata që kishin luftuar që duhej ta nënshkruanin fundin e luftimeve, e jo ata që nuk kishin luftuar, nuk mund të ndodhte kjo punë. Në një shtet normal demokratik civilët do të përfaqësonin anën ushtarake, por ne nuk ishim as shtet, e as demokratik, ishim një lëvizje, e cila po përpiqej për ta çliruar vendin.

Kelmendi: Dhe, si shkoi, është përshkruar se me gjithë mospajtimet dhe diversitetet që kanë ndodhur para se të shkohej në Rambouillet, megjithatë atje është krijuar një atmosferë pune, është zgjedhur një kryesi, ku keni qenë doktor Rugova, Rexhep Qosja, Hashim Thaçi dhe ju, si dhe dy grupe punuese.

Veton Surroi: Ne kemi qenë një lloj kryesie politike, të themi ashtu, por realisht pjesa që ka negociuar çdo ditë ka qenë Grupi Politik Strategjik, ku kemi qenë të përfshirë të gjithë. Kanë krijuar një homogjenitet të mirë dhe kemi krijuar po ashtu një formë, e cila ka qenë demokratike, që çfarëdo që të jetë negociuar nga Grupi, vinte në mbledhjen plenare dhe kalonte. Do të thotë ka ekzistuar një lloj demokracie parlamentare në atë funksionim të atij delegacioni. Kjo pjesa që quhej kryesi mbante kontakte të nivelit politik, duhej të takoheshin me ministrat dhe sekretaren e Shtetit, kur duhej të takoheshin për ndonjë arsye të veçantë, pra kemi mbajtur atë nivel të komunikimit politik. Edhe për të prekur sinjalet dhe, në fund, për të dhënë përgjigjet para mbledhjeve plenare të ndërmjetësve, para Grupit të Kontaktit.