Publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova i ka bërë dëm vetës në procesin e negociatave sepse ka pranuar që të ketë një lloj arbitrariteti në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë pa reciprocitet.

Ai thotë se Kosova ishte e detyruar të marrë pjesë në procesin negociator në Bruksel duke pranuar që shpallja e pavarësisë është e barasvlershme me mohimin e Serbisë dhe pretendimet territoriale të Serbisë në Kosovë.

“Momentin që e ke tejkalu parimin e reciprocitetit ke pranuar forma arbitrare të rregullimit të marrëdhënieve e në arbitraritet fiton gjithmonë ai që është më i fortë. Kosova nuk ka nevojë më të prezantohet me ‘fjollën’ e famshme. Nëse do të bisedosh me mua unë jam Republika e Kosovës, sepse ne nuk po ta kontestojmë ty shtetësinë pra shtetin e Serbisë. Serbia duhet të zgjedhë ose të bëhet pjesë e regjionit ose të ndjekë politikë destruktive të regjionit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia nuk ka pasur presion nga Kosova, sepse Kosova ka qenë adoptuese e politikës serbe.

Ai thotë se Kosova ka adaptu një qasje që Serbia e ka ndjekur në Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe pas fitores në gjykatë.

Surroi shton se nëse vendosen marrëdhënie të reja në procesin negociatorë, ka mundësi të ecet përpara, derisa shton se duhet të vendosen parime dhe duhet treguar partnerëve ndërkombëtarë që ka edhe rrugë të tjera.

Sipas tij duhet të vendoset fund mes negociatave dhe të arrihet një marrëveshje paqeje.

“Mendoj se duhet të ketë një vazhdimësi të dialogut sepse procesi ka degraduar deri në pikën që të arrihet deri te këmbimet territoriale, nuk mendoj se Kosova duhet të kërkojë kushte dhe nuk mendoj se duhet të pranojë kushte por duhet filluar një konsultë të brendshme mes pushtetit dhe opozitës dhe duhet në mënyrë kreative të fillojë një intensitet komunikimesh me komisionin e ri me Borrell dhe gradualisht të krijohet një kornizë me ambicioze për zgjidhje”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për ambasadorin Richard Grenell, ai ka thënë se është i mirëseardhur vullneti Amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai thotë se fillimi i tillë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim dramatik, më shumë ka të bëjë me krijimin e një atmosfere për të treguar që gjërat janë të mundshme.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një marrëveshje e cila është komerciale, kjo nuk do t’i ndryshojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Cilësia e marrëdhënieve me aviacionin civil nuk do të ndryshojë. Unë e përshëndes këtë veprim si pjesë e një nxitje për të dhënë pak shpirt, pak kolorit në një marrëdhënie në zymtë mes Kosovës dhe Serbisë por ekonomia nuk i zgjidhë marrëdhëniet mes popujve vetvetiu. Serbia ka pasur akses të pa penguar në tregun e Kosovës deri para taksës por kjo nuk e ka ndryshuar politikën e Serbisë, përkundrazi Serbia ka konsideruar se meqenëse ka treg në Kosovë ajo mund të bëjë çfarë të dojë”, ka thënë ai.

Sipas tij marrëveshje për linjën Prishtinë -Beograd ishte një letër synimi biznesi, duke shtuar se një letër synimi biznesi është larg një marrëveshje historike.

Surroi e sheh të domosdoshme vazhdimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se duhet të ketë një vazhdimësi të dialogut sepse procesi ka degraduar deri në pikën që të arrihet deri te këmbimet territoriale, nuk mendoj se Kosova duhet të kërkojë kushte dhe nuk mendoj se duhet të pranojë kushte për të ecë më tutje por duhet filluar një konsultë e brendshme mes pushteti dhe opozitës dhe duhet në mënyrë kreative të fillojë një intensitet komunikimesh me komisionin e ri me Borrell dhe gradualisht të krijohet një kornizë me ambicioze për zgjidhje”, ka thënë ai.