Publicisti Veton Surroi ka rrëfyer në podcastin PIKË, në një bisedë me regjisorin Agim Sopi, se nuk ka pasur frikë nga vrasja gjatë viteve të represionit serb në Kosovë, ndonëse ishte i vetëdijshëm për rrezikun e madh që e kanoste atë dhe gjithë shoqërinë shqiptare të asaj kohe.

Nuk kam pasur frikë”, ka thënë Surroi, duke iu përgjigjur pyetjes së drejtpërdrejtë të Sopit se a kishte menduar ndonjëherë të ikte nga Kosova për shkak të kërcënimit për jetë. “Në vitin 1992 isha në Londër për projektin e rihapjes së seksionit të BBC-së në shqip. Kisha kontratë dyvjeçare me mundësi shtetësie britanike automatike, por u ktheva në Kosovë. Nuk kisha mundësi të rrija atje, isha tejet i investuar personalisht në këtë vend”, shtoi ai.

Surroi ka thënë se në vitet 1989-90 ndodhi një ndryshim i thellë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve të Kosovës, kur secili e kuptoi se nuk ishte më çështje se kush dhe pse vritej – por thjesht sepse ishte shqiptar.

“Atëherë filluam të kuptojmë se çdonjëri prej nesh ishte i rrezikuar, jo për atë që kishte bërë, por për atë që ishte. Dhe ky ishte transformimi më i madh – kur solidariteti dhe lëvizja paqësore na mbajtën gjallë si komb”, ka deklaruar Surroi.