Publicisti Veton Surroi e ka cilësuar të gabuar, në kohë të gabuar dhe me përmbajtje të gabuar, letrën që ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, drejtuar Këshillit të Evropës, pak para Komitetit të Ministrave të Jashtëm, me zotimin se së shpejti Kosova do ta bëjë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Letra e dërguar nga MPJ-ja mendoj se ka pasur shkarje të mëdha që nga adresimi tek kush është dërguar deri te formulimet, e deri te mënyra, koha, do të thotë ka qenë letra e gabuar në kohë të gabuar me përmbajtje të gabuar. Po them e gabuar. Nuk është dashur të ndodhë. Akt që ka ndodhur dhe tash i ka reperkusionet e veta. Ato kanë të bëjnë me perceptimin që kanë palët ndaj veprimeve që i bën Kosova. Tash duhet të merremi edhe me perceptimet për këto veprime. Ky problem nuk zhduket nga vetvetja”,  ka thënë ai. 

Sipas tij, forma më e duhur ka qenë që presidentja ta çonte draftin e propozuar nga Bashkimi Evropian në Kushtetuese si përgjigje ndaj veprimeve për zbatim apo jo të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

“Brenda Rregullores së Gjykatës Kushtetuese ekziston një detyrim që palët t’i përgjigjen gjykatës mbi zbatueshmërinë e vendimeve. Meqenëse vendimi i 2015-s nuk është zbatuar e deri tash ka pasur proces negociator, ka ekzistuar forma e atillë e korrespodencës që do ta fuste brenda një kanali zyrtar komunikimin lidhur me këtë çështje. Kjo do të nënkuptonte që Gjykata të vlerësonte a është apo jo në përputhje me aktgjykimin e 2015-s. Mendova se kjo ishte forma më e mirë e s’është vetëm mendimi im personal, por jam konsultuar edhe me sfera të tjera, përfshirë ato diplomatike. Po të ndërmerrej ky veprim besoj se sot do të ishim anëtar të KiE-së”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.