Superliga e Kosovës nuk pushon as në mesjavë. Këtë të mërkurë luhen 3 nga 6 sfidat e javës së 11-të të fundit të fazës së parë, raund që nisi të martën me takimin Vushtria-Feronikeli.
Vëmendja më e madhe do të jetë padiskutim te takimi mes Gjilanit kryesues dhe Llapit. Vetëm 1 pikë i ndajnë këto dy skuadra në renditje, ndërkohë që formacioni i Gentjan Mezanit vjen pas 3 fitoresh rresht. Llapi i Tahir Batatinës në krahun tjetër numëron 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit dhe në udhëtim luan më mirë se në shtëpi, prandaj kjo ndeshje bëhet e paparashikueshme.
Në orën 14:00 përveç Gjilani-Llapi do të zhvillohen edhe dy takime të tjera shumë interesante mes 4 skuadrave që luftojnë për mbijtesë.
Në Mitrovicë Trepça ’89 pret Ferizajn ndërkohë që Drenica sfidon Dukagjinin me vendasit që janë dukshëm të favorizuar për të marrë tre pikët në këtë sfidë.







