Marcus Thuram, sulmuesi i Guingamp dhe djali i ish-mbrojtësit Lilian, ka qenë protagonisti i ndeshjes së luajtur në Kupën e Ligës së Francës kundër Paris Saint-Germain.
Ai ka realizuar golin vendimtar që ka eliminuar PSG-në nga kompeticioni. Ka gabuar penalltinë e parë, por jo të dytën, atë që i ka dhuruar kualifikimin e bujshëm skuadrës së tij dhe ka nxjerrë jashtë loje Neymar me shokë.
Pikërisht për penalltinë vendimtare dhe kolegun brazilian ka folur Marcus në përfundim të ndeshjes. Siç ka bërë të ditur “Le Parisien”, sulmuesi i Guingamp ka zbuluar fjalët që vetë Neymar i ka thënë për t’i dhënë zemër në një moment delikat si ekzekutimi i penalltisë, veçanërisht pas gabimit të mëparshëm.
“Në fillim nuk doja ta gjuaja, më pas më është afruar Neymar për të më dhënë zemër, – ka rrëfyer Thuram. – Më ka thënë se jam një lojtar i mirë dhe se duhet të marr përsipër përgjegjësi të mëdha nëse dua të përmirësohem, duke filluar nga ajo penallti. Fjalët e tij më dhanë besim”.







