Sulmohen dhe kërcënohen mediat gjatë aksionit të shkyçjes që KRU Prishtina ndërmori në Shtime

Të mërkurën janë sulmuar e kërcënuar disa media në Kosovë, që ishin duke e përcjellë aksionin e KRU Prishtinës, që po bënte disa shkyçje të borxhlinjve në Shtime.

Siç ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është sulmuar fizikisht kameramani i “Lajmi.net”. Krahas sulmit ndaj tij, janë kërcënuar edhe disa media tjera që po xhironin.

“Në një video të publikuar nga GazetaDemos, qytetari dëgjohet duke i thënë gazetares së këtij mediumi ‘Mos incizo, se me ardh aty t’mys’”, thuhet nga AGK-ja.

AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë masa.

“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kërcënime dhe sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masat e duhura ndaj personit që kërcënoi sot mediet”, thuhet nga AGK.