Sulmi terrorist në Nicë/ Foto e fundit që i riu i dërgoi familjarëve: Kam blerë rroba të reja

Vrasja e tre personave në Nicë të Francës tronditi një botë të tërë.

Autori i vrasjeve makabre, ishte një 21-vjeçar me origjinë nga Tunizia, i identifikuar si Brahim Aouissaoui.  Së fundmi, mediat i kanë kushtuar hapësirë një detaji pak para se të ndodhte ngjarja e trishtë.

Ata kanë publikuar foton e 21-vjeçarit të veshur me rroba të reja, e këtë foto mendohet se ai ia ka dërguar familjarëve në Tunizi. Foto është realizuar në një dyqan në Francë një ditë para se ai të hynte në kishën në qendër të Nicës i armatosur me dy thika. Ditën e vrasjes, ai kishte veshur të njëjtat rroba që i tregoi familjarëve.

Fotot i janë dërguar familjarëve dhe miqve të tij në Tunizi, vend të cilin ai e la kohë më parë duke shkuar në fillim në Itali e më pas në Francë.

Vëllai i tij në një intervistë të dhënë shpjegoi se një ditë më parë i riu i kishte marrë në telefon dhe kishte qëndruar më gjatë se herët e tjera duke i thënë se çdo gjë po i shkonte më së miri.