Presidenti i Shqipërisë

Sulmi terrorist në Ankara, Begaj: Shpreh solidaritetin me popullin dhe qeverinë turke

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar lidhur me sulmin terrorist në Ankara, ku mbetën të plagosur dy policë.

Ai ka shprehur solidaritetin me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos.

“Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke.
Shpreh solidaritetin tim të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë”, thotë Begaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se “akte të tilla terroriste janë qasje të një bote të vjetruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne”.