Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është ende shumë herët që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të deklarohen se kush është përgjegjës për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit.
Hovenier ka thënë se ende nuk i kanë provat, por se beson se këto prova do të gjenden, shkruan Reporteri.net.
“Përkitazi me atë se çka dimë për atë që ndodhi, është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare”, ka theksuar Hovenier.
Ai ka theksuar se zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer hetimet
“Zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer hetimet – hetime efektive. Ne besojmë se ato duhet të jenë të besueshme, të shpejta, të drejta, transparente dhe sigurisht, është pikëpamja e qeverisë amerikane që tashmë e kemi shprehur shumë fuqishëm se përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari. Momentalisht, nuk jemi në gjendje të themi se kush është përgjegjës”, ka thënë Hovenier në një intervistë për emisionin “Context” në ATV.
Ai tha se ky sulm kishte potencialin të përmbyste ndjeshëm jetët dhe të dëmtonte njerëzit duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike dhe duke ndikuar në furnizimin me ujë të një përqindje të qytetarëve.
“ne e dënojmë plotësisht këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike në Kosovë që kishte potencialin të përmbyste ndjeshëm jetët dhe të dëmtonte njerëzit duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike për një përqindje të caktuar të qytetarëve, duke ndikuar në furnizimin me ujë të një përqindje të qytetarëve. Thjesht, ky ishte sulm i pajustifikuar që nuk ka asnjë kuptim në shekullin e 21-të”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
Ai ka sugjeruar qeverinë e Kosovës, e cila ka akuzuar Serbinë për këtë sulm, që të pret deri në përfundimin e hetimeve para se ta ngarkojë dikë me përgjegjësi.
“ Ne jemi të vetëdijshëm që qeveria e Kosovës ka, por këshilla jonë vazhdon të jetë, prisni derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi, sepse atëherë do të keni mbështetje nga të gjithë për t’u siguruar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës”, ka deklaruar Hovenier.






