Sulmi ndaj TIMS në Shqipëri, ambasada e SHBA: Keqdashësit do mbajnë përgjegjësi

Ambasada e SHBA ka dënuar sulmet e njëpasnjëshme kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë. Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë në rrjetet sociale mesazhin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, që ka dënuar sulmin kibernetik të 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS.

Dënojmë me forcë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleates sonë në NATO, Shqipërisë, i cli pason sulmin kibernetik të Iranit të 15 korrikut. Ne do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me Shqipërinë dhe aleatët e partnerët e tjerë, për të forcuar mbrojtjen kibernetike dhe për t’i bërë përgjegjës aktorët keqdashës.”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price.

Edhe Këshilli i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dënoi sulmin ndaj Shqipërisë, ku mes të tjerash në mesazh thuhej “aleati ynë në Nato”, duke vënë në dukje se “ky aktivitet keqdashës, pason sulmin kibernetik të 15 korrikut, të kryer nga Qeveria e Iranit”.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara po ndihmon Shqipërinë të zbusë pasojat dhe të rikthejë funksionimin e sistemit”.

Sulmi i radhës kibernetik nga Irani kundrejt Shqiëprisë është regjistruar mbrëmjen e 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS, përmes të cilit në kufijtë tanë bëhet kontrolli dhe regjistrimi i personave që hyjnë e dalin.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, tha kryeministri Edi Rama teksa bëri me dije sulmin e radhës.

Në orën 22:10 janë ndërprerë shërbimet në TIMS. Një goditje tjetër ndodhi në orën 23:13 duke bërë të pamundur aksesin në këtë sistem nga shërbimet policore në doganat e vendit.

Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të Kultit MEK në Durrës, dhe se loja do të vazhdojë”, ishte ky mesazhi që iu shfaq në ekran policëve të kufirit pas sulmit.

Bllokimi i sistemit TIMS shkaktoi radhë në pikat kufitare në vend. Kjo i ka detyruar autoritetet që veprimet të kryejnë manualisht. Pas më shumë se 24 orësh i bllokuar sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në pikat e kalimit kufitar.

Pas rikthimit të sistemit në shumicën e pikave kufitare, Rama tha se Shqipëria i ka rezistuar më së miri sulmit të fundit kibernetik të Iranit pasi sipas tij nuk ka asnjë zhdukje apo rrjedhje serioze të dhënash.