Sulmi ndaj të rinjëve shqiptarë në Novi Sad: Njëri nga viktimat gjendet në shokë dhomë, ka gjakderdhje në tru

Të rinjtë shqiptarë G.B. dhe Ç.M., që të dy të 19-vjeç, janë rrahur brutalisht në natën mes të shtunës dhe dielës në rrugën Futoshka në Novi Sad të Serbisë.

Siç raporton e përditshmja serbe “Blic”, që të dy kanë pësuar lëndime të rënda trupore, kurse njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë.

“Ç.M. ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe gjakderdhje në tru. Por pas intervenimit kirurgjik është vendosur në shok dhomë në qendrën emergjente. Jemi duke bërë të pamundurën që t’ia shpëtojmë jetën”, është thënë në qendrën klinike në Vojvodinë.

Hiq më lehtë nuk ka shpëtuar as miku i tij G.B., që gjithashtu ka pësuar lëndime trupore, por për fat të mirë gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.

Punonjësja e një lokali që përgatit ushqim të shpejtë ishte dëshmitare okulare e sulmit brutal ndaj shqiptarëve, që sipas saj gjithçka ka ndodhi shpejt dhe se në të gjitha anët kishte gjak.

“Unë dhe kolegu im kemi dëgjuar britma dhe kur dolëm jashtë pamë një person duke e goditur njërin nga të rinjtë shqiptarë në kokë. Nga goditja e fuqishme në kokë është rrëzuar në tokë sikur të ishte dërrasë, kurse trotuari u mbulua nga gjaku pasi që përplasi kokën në pllaka”, ka shtuar kjo dëshmitare.

Ndërkaq sipas saj në momentin që i riu tjetër u përkul për ta ngritur në këmbë mikun, njëri nga sulmuesit e ka goditur sërish viktimën me shqelm në kokë, dhe më pas kanë vazhduar ta rrahin edhe tjetrin.

“Menjëherë jemi futur brenda lokalit për t’i telefonuar autoambulancës, kurse ndërkohë fqinjët i telefonuan edhe policisë. E gjitha ndodhi për pak minuta , kurse sulmuesit kanë ikur para se të mbërrinte në vendin e ngjarjes policia”, ka shtuar dëshmitarja e sulmit brutal ndaj dy të rinjve shqiptarë.