Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter, ka reaguar me rastin e sulmit ndaj Paul Pelosit, bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“I dërgoj Nancy Pelosit lutjet e ngrohta për shërim të shpejtë të bashkëshortit të saj pas tentativës së tmerrshme mbi jetën e tij. Në një kohë kur qeveria popullore është nën sulm në të gjithë botën, asnjë kërcënim apo akt dhune nuk mund të lejohet të frikësojë liderët e një populli demokratik”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Sipas autoriteteve në SHBA, sulmuesi është në paraburgim dhe motivi i sulmit është duke u hetuar.

Paul Pelosi, u sulmua me një çekiç në shtëpinë e tij në San Francisko nga një sulmues mashkull të premten herët në mëngjes.

Pelosi, 82 vjeç, u shtrua në spital, por pritet të shërohet plotësisht. /Reporteri.net/.