Ramush Haradinaj

Sulmi ndaj Izraelit, Haradinaj: Kosova të rreshtohet me NATO-n, SHBA-të dhe Izraelin, në mbrojtje të lirisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmit që ka bërë Irani ndaj Izraelit, ditën e shtunë.

Haradinaj thotë se sulmi i mbrëmshëm është një sulm jo vetëm ndaj Izraelit por ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë.

“Vlerat tona të përbashkëta sot cenohen seriozisht dhe Kosova duhet të rreshtohet pa asnjë mëdyshje me NATO-n, ShBA-të dhe Izraelin, në mbrojtje të lirisë. Qëndrojmë me Izraelin sepse ndajmë një të kaluar të dhimbshme dhe e dijmë se sa kushton liria, andaj jemi me ata që e mbrojnë të njëjtën me çdo kusht”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe të shtunën më 13 prill, Irani ka lëshuar rreth 300 dronë në drejtim të Izraelit.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.