Reagim

Sulmi ndaj Berishës, reagon Begaj: Autoritetet të hetojnë dhunën, liria e fjalës është thelbësore

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar për sulmin fizik ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë protestës së sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Begaj ka dënuar sulmin, ndërsa thotë se një akt i tillë bie ndesh me parimet e demokracisë.

Presidenti u bëri thirrje autoriteteve të hetojnë rastin e dhunës dhe të zbardhin ngjarjen.

Reagimi i plotë:

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dënon ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së sotme të opozitës ndaj z. Sali Berisha, Deputet i Kuvendit, ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës.

Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore.

Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes.

Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen. /abcnews.al