Sulmet në Vjenë, imami kosovar thotë se myslimanët po etiketohen si “terroristë”

Në Vjenë dje dhe ditë më parë në Francë janë kryer sulme terroriste, të cilësuara se janë të kryera me motive islamike. Sipas imamit kosovar përdorimi i termit “terrorist islamik” është i qëllimshëm dhe për ta dëmtuar fenë islame.

Imami kosovar, Labinot Maliqi në një përgjigje për Gazetën Express tha se etiketimi i besimtarëve myslimanë si ‘terroristë’ është një padrejtësi e madhe që po ju bëhet myslimanëve.

“Pra, përmes këtij termi synohet të etiketohen si terrorista të gjithë besimtarët myslimanë. Mund të them se kjo është një islamofobi e hapur dhe një padrejtësi e madhe që po i bëhet tërë botës islame në emër të luftës kundër terrorit, njësoj siç ju ishte bërë hebrenjve nga antisemitët kohë të gjatë para se të përfundonin në duart e kasapëve nazist”, tha Maliqi.

Sipas tij, që kur ka filluar të përdoret termi “terrorist islamik” ka pasur për qëllim dëmtimin e fesë islame.

“Absolutisht! Prej kur ka filluar të përdoret ky term, ‘terrorist islamik’ – konsideroj se nuk ka qenë i rastësishëm dhe pa qëllime për dëmtimin e Islamit si fe dhe dobësimin, frikësimin dhe diskriminimin e besimtarëve myslimanë në shoqëritë ku ata jetojnë”, shtoi Maliqi.

Ai tha se nuk ekziston terrorizmi islamik, sepse terrori nuk ka fe. Sipas tij, krimineli mbetet vetëm kriminel.

“Përgjegjësit për vrasjet në Vjenë dhe kudo tjetër duhet të dënohen në masën e plotë të ligjit. Sjellja kriminale është përgjegjësi individuale e atyre që e kryejnë atë. Askush nuk ka të drejtë të përvetësoj Islamin si justifikim për barbarizmat dhe vrasjet e shkaktuara. Nuk është krimi kolektiv i një grupi që përfaqëson shumicën e një besimi, dhe nuk mund të përdoret si pretekst për më shumë diskriminim dhe dhunë shtetërore ndaj një komuniteti të caktuar

Por, ky sulm ishte paralajmëruar orë më parë nga një përdorues i rrjetit social Twitter. Në një cicërimë, ky person kishte shkruar “Prisni për befasinë”. Këtë shkrim, ky person e ka bërë në ora 14:56.

Në një ‘tweet’ të Policisë së Vjenës të cilët po njoftonin për zhvillimet e fundit, ky person ka thënë “Betohem në Allah se nuk keni parë akoma asgjë”.

Nga ky sulm deri tani pesë persona kanë vdekur, përfshirë njërin nga sulmuesit. Ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur, ku 7 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmë në Vjenë të Austrisë, shteti i Kosovës menjëherë është mobilizuar. Tashmë institucionet kanë vënë në dispozicion mekanizmat, ndërsa organet e rendit, janë vënë në lëvizje.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në orët e para të mëngjesit të sotëm janë parë edhe masa të shtuara të sigurisë.

Kujtojmë se ditë më parë u kryen edhe disa sulme në Francë, ku mësuesi francez, Samuel Paty u pre në kokë nga një person, pasi Paty i kishte përdorur karikaturat e Profetit Muhamed në një klasë për lirinë e shprehjes.

Sulmi tjetër ndodhi pranë katedrales ‘Notre Dame’ në Nicë të Francës, ku u mbetën të vdekur tre persona.

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmë në Vjenë të Austrisë, shteti i Kosovës menjëherë është mobilizuar.

Tashmë institucionet kanë vënë në dispozicion mekanizmat, ndërsa organet e rendit, janë vënë në lëvizje.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në orët e para të mëngjesit të sotëm janë parë edhe masa të shtuara të sigurisë.