Sulmet e gazetarëve në Leposaviq, Bekteshi: Raste të tilla na bëjnë më të fortë për të vazhduar përpara

Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi i cili bashk me kolegët e tij u sulmuan të premten nga grupet kriminale serbe në Komunë të Leposaviqit ka thënë se nuk është hera e parë që sulmohen e kërcënohen në veri.
Bekteshi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se raste të tilla i bëjnë më të fortë dhe më të vendosur për të vazhduar tutje me profesionin e tyre.

Ai po ashtu falenderoi të gjithë ata që e përkrahën dhe reaguan ndaj këtij sulmi brutal.

Kameramani i RTK-së, Bekteshi gjithashtu kërkoi trajtim të shpejtë të angazhimit të institucioneve për sigurinë e ekipeve të mediave.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Bekteshit:

“Përshëndetje njerëz te mirë!

Siç edhe e dini derisa po kryeja punën time prej kameramanit, dje edhe unë isha viktimë e sulmeve të grupeve kriminale të sërbëve në Leposaviq. Kjo nuk është hera e parë që në veri na vërsulen e na kërcënojnë, por kjo assesi nuk do të ndikoj që të na ndalin. E kundërta, këto raste na bëjnë më të fortë më të bashkuar dhe më të vendosur për ta quar përpara këtë mision kaq fisnik. Unë edhe dje, edhe pardje, edhe sot e nesër, edhe gjithmonë, përballë këtyre situatave armën e vetme në dorë e kam kamerën me të cilën punojë për me shumë se dy dekada.

Prandaj do të vazhdoj punën dhe angazhimin tim sado e vështirë që mund te jetë! Pas asaj qe ndodhi dje, kam marrë shume telefonata e mesazhe interesimi për gjendjen time.

Përmes këtij postimi, ndjej për obligim që të ju njoftoj se unë jam mirë dhe të ju falënderoj përulësisht për interesimin dhe mbështetjen tuaj. Faleminderit edhe RTK-së , drejtuesve të saj dhe gjithë kolegeve për mbështetjen dhe interesimin e treguar për mua, gazetaren Venerën dhe teknikun Mentorin qe dje ishim bashkë. Po ashtu mirënjohje dhe falënderime edhe për institucionet e shtetit tonë që edhe kësaj radhe u solidarizuan me ne. Përtej kësaj mendoj se angazhimi më i madh për sigurinë tonë si ekipe të mediave, është çështje që kërkon trajtim të shpejtë“.