Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ia ka dhënë asnjë meritë Qeverisë Kurti për avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, sukses ky që ka ndodhur para dy dite.

Ajo ka bërë me dije se avancimi i statusit të Kosovës në këtë institucion është meritë e diplomacisë parlamentare të Kosovës.

Shefja e shtetit ka thënë se diplomacia parlamentare gjithmonë ka qenë armë e fort për Kosovën.

“Natyrisht që është një e arritur shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, është një e arritur e diplomacisë sonë parlamentare është testament i punës që po e bëjnë deputetët e të gjitha partive politike në mënyrë që të avancojë statusi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Diplomacia parlamentare gjithnjë ka qenë një prej mjeteve më të forta për të hapur dyer edhe në raste kur është shumë e vështirë dhe mendoj se vetë rezultati i para disa ditësh në këtë votim ka treguar se Kosova vërtetë mes parlamentarësh ka përkrahje shumë të madhe, ishte vetëm një votë kundër”, ka thënë Osmani në një prononcim për Ekonomia Online.

Ajo ka vlerësuar se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për Kosovës.

“Është një hap që tregon që siç e kam thënë edhe publikisht atë ditë NATO është fati i Kosovës të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt dhe është shumë e rëndësishme që ne ta avancojmë edhe me hapa tjerë tani natyrisht duke ecur drejtë anëtarësimit në NATO këtu Asambleja Parlamentare nuk ndërlidhet me aspektin procedural me anëtarësimin në NATO siç lidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me anëtarësim në Këshill të Evropës por megjithatë është mesazh shumë i rëndësishëm se Kosova e ka vendin në NATO dhe i plotëson kriteret për një gjë të tillë”, ka thënë Osmani.