Suhareka për dy ditë me radhë shndërrohet në epiqendër të shqiptarëve, sot fillon Karnevali tradicional

Për dy ditë me radhe qyteti i Suharekës do të jetë epiqendër e festës shqiptare. Në këtë qytet sot dhe nesër do të mbahet Karnevali tradicional i organizuar nga Komuna e Suharekës dhe kompania Golden Eagle.

Në këtë Karneval do të marrin pjesë rreth 500 artistë ndërkombëtarë nga Spanja, Italia, India, Kuba, Brazili, Polinezia, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

Por nuk do të mungojnë edhe shumë artistët shqiptarë ku do të përformojnë hitet e tyre.

Qyteti i Suharekës në natën e parë (sonte) do të mirëpret këngëtarët Klajdi, Bruno & Miri, Capital T, kurse në natën e dytë atmosfera do të ndizet me këngëtarët Mc Kreshën & Lyrical Son, Nora Istrefi, Era Istrefi, etj.

I gjithë ky festival do të moderohet nga Arbana Osmani, Berat Miftari dhe Kushtrim Reshitaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar për planin për parking.

“Sipas një parashikimi sot mijëra qytetarë udhëtojnë për Suharekë, prandaj ne e kemi një plan të parkingut i cili ju prezentohet në këtë video”, ka shkruar ai.

Muharremaj iu ka bërë thirrje qytetarëve që një pasdite të kalojnë Suharekë me familje. “Kaloje pasditen me familje nesër n’Suharekë”, ka shkruar Muharremaj.

I pari i Suharekës gjatë ditës së premte përmes një postimi në rrjetin social ka treguar se kanë ardhur pjesëmarrësit e festivalit nga disa shtete.

“Edhe pak orë na ndajnë nga Karnavalet Golden Eagle”, ka shkruar ai. Karnevali i Suharekës mbahet që nga viti 2018.