Subjekti politik serb paralajmëron trazira nëse zgjedhjet në komunat veriore mbahen me prani policore

Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” në pjesën veriore të Mitrovicës, ka paralajmëruar se nuk mund të ketë kuti të mjaftueshme votimi për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri dhe se as serbët atje nuk do të pranojnë të votojnë me forcë policore.

Arsenijeviq, në një intervistë për Danasin serb, ka thënë se shkollat atje ku pritet të vendosen kutijat e votimeve “nuk janë institucione paralele” dhe se ato sipas planit të Ahtisaar-it janë të ligjshme, përcjell Demokracia.com.

 “Publiku shqiptar i quan institucione paralele, por dua të përmend se ato shkolla sipas planit të Ahtisaarit, të cilin e ka pranuar Kosova dhe e ka përfshirë në ligje dhe Kushtetutë, janë të ligjshme sipas ligjeve të Kosovës”, deklaroi ai.

Kryetari i këtij subjekti politik ka thënë se pas bisedave që ka pasur me serbët në veri, ka kuptuar se “nëse dikush mendon të hyjë në shkolla për të mbajtur zgjedhje, do të jetë momenti më i rrezikshëm”.

“Mundësia e krizës në veri të Kosovës është gjithmonë e sigurt. Nuk mendoj se do të ketë turbulenca të mëdha, por nëse dikush mendon të hyjë në shkolla për të mbajtur zgjedhje, mendoj se do të jetë një moment kritik, sepse njerëzit, më thonë në biseda, do ta marrin personalisht. Fëmijët tanë ndjekin mësimet atje. Është momenti më i rrezikshëm që mund të ndodhë dhe më pas asnjë nga qytetarët nuk do t’i shmanget veprimeve të rrezikshme”, deklaroi më tej ai.

“Qytetarët tanë e kanë të pamundur të pranojnë që të drejtën e votës ta ushtrojnë përmes policisë”, vijoi Arsenijeviq.