Stuhi të forta në Kroaci shkaktojnë dëme të mëdha

Era e fortë në mbarë Kroacinë shkaktoi probleme të mëdha. Për shkak të stuhisë një burrë u mbyt në Danub afër Vukovarit.

Një person ka mbetur i lënduar në Zagreb, ndërsa një fëmijë ka pësuar lëndime të lehta në Split pasi një stol ka rënë mbi të nga stuhia, raporton Index.hr.

11-vjeçari ishte në stërvitje kur stuhia ngriti me forcë stolin e lojtarëve rezervë në të cilin ishte ulur, duke e lënduar lehtë.

Instituti Shtetëror Meteorologjik kroat ka lëshuar alarmin për nesër për Kanalin Velebit dhe Dalmacinë jugore për paralajmërim të stuhisë.

“Jini të vetëdijshëm për rreziqet dhe kushtojini vëmendje dhe ndiqni raportimet më të fundit të motit. Ne ju këshillojmë që të shmangni udhëtimet dhe qëndrimin pranë zonave të kërcënuara bregdetare. Jini të përgatitur për ndërprerje të rrymës, dëmtime strukturore dhe rrezik dëmesh për shkak të pemëve të shkulura, degëve të thyera dhe fluturimit. Janë të mundshme ndalesa në trafik”, paralajmëruan të shtunën nga ky institut.