Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë thirrje publike për organizimin e një proteste paqësore, e cila do të mbahet më 10 prill në Sheshin e qytetit, duke filluar nga ora 12:00.
Sipas organizatorëve, protesta synon të reagojë ndaj, siç thuhet në njoftim, rasteve të fundit të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe përpjekjeve për deformimin e historisë së Republikës së Kosovës. Studentët kanë theksuar se këto dukuri cenojnë kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës, si dhe dëmtojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.
Në këtë kontekst, protesta po organizohet edhe si shprehje e mbështetjes për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve, studentëve, profesorëve, aktivistëve dhe të gjithë të interesuarve që t’i bashkohen kësaj proteste, duke theksuar se reagimi qytetar është i domosdoshëm për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe për të ruajtur të vërtetën historike.
“Ne nuk mund të heshtim dhe nuk mund të lejojmë që urrejtja të zërë vend në shoqërinë tonë,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se protesta do të jetë paqësore dhe me karakter qytetar.
Protesta pritet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të organizuar, me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve nga Peja dhe më gjerë.







