Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, në një raport për Këshillin Atlantik, ka shkruar për sfidat e Kosovës, vend i cili sipas tij “shquhet si një rast relativisht i suksesshëm i ndërtimit të shtetit të mbështetur nga Perëndimi”.
Maliqi shkruan aty se “Kosova ka shanse të mira për t’u bërë një histori e vërtetë suksesi nëse arrin t’i trajtojë dobësitë e tij kryesore dhe t’i shfrytëzojë mundësitë”.
“Suksesi i ardhshëm i Kosovës do të varet nëse elitat e saj politike mund të përfitojnë nga mundësitë e mjedisit të ri gjeopolitik për ta zgjidhur çështjen e mprehtë të marrëdhënieve me Serbinë”, shkruan ai.
Sipas tij, “fakti është se Kosova po humbet shumë mundësi—përsa i përket tij integrimi në strukturat euroatlantike, zhvillimi ekonomik dhe stabilitetit politik të brendshëm—për shkak të mosmarrëveshjeve të gjata me Serbinë”.
“Diskursi i elitave politike në Kosovë duhet ta reflektojë këtë ndjesi urgjence në një masë më të madhe”, shkruan Maliqi në raportin për institutin amerikan që merret me çështje ndërkombëtare.
Një marrëveshje normalizimi që i bën kufijtë më të fortë, Maliqi shkruan se “duhet të shoqërohet me një integrim më të thellë rajonal që zbut ndikimin e tyre”. Kjo, sipas tij “do të krijonte gjithashtu sinergjinë e nevojshme rajonale për zhvillim dhe aderim më të shpejtë në BE”.
Maliqi vlerëson se qasja franko-gjermane zvogëlon barrën e Kosovës sa i përket lëshimeve që priten. “Asociacioni, që do të krijohet, shihet nga ndërmjetësit si në harmoni me kufijtë kushtetues të Kosovës. Më e rëndësishmja, ekziston një mirëkuptim i qëndrimit të Kosovës se zbatimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë të barabartë në krah të zhbllokimit të pozitës së jashtme të Kosovës”, shkruan ai, dhe kjo sipas tij, pasqyrohet në deklaratën e fundit zyrtare nga Gjermania, Franca dhe Italia Asociacioni dhe njohja ‘de facto’ e Kosovës kërkohet “të zbatohen paralelisht”.
“Konteksti i ri gjeopolitik i krijuar nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës kërkon një rishikim të strategjisë drejt fundit të lojës. Siguria dhe progresi i Kosovës janë të kufizuar në mënyrë të konsiderueshme nga pozicioni i saj aktual ndërkombëtar, në të cilin pavarësia është e pakthyeshme, por nuk njihet plotësisht për shkak të rolit aktiv të Serbisë dhe Rusisë në parandalimin e Kosovës nga marrja e njohjeve dhe anëtarësimeve të mëtejshme në organizatat ndërkombëtare”, shkruan Maliqi.
Ai shkruan se suksesi i Kosovës “është i ndërthurur me fatin e Ballkanit Perëdnimor në tërësi.
“Fakti që bashkëpunimi dhe integrimi mbeten peng i mosmarrëveshjeve politike dypalëshe rithekson rëndësinë dhe urgjencën e zgjidhjes së këtyre mosmarrëveshjeve”, thekson Maliqi.
Problemi më evident i Kosovës, siç shkruan ai, “është i jashtëm”. Por Maliqi shton se sfidat kryesore dhe më të rëndësishme të shtetit mbeten të brendshmet. Sipas tij, “zhbllokimi i perspektivës euroatlantike të Kosovës shkon dorë për dore me dhe është një parakusht për zhvillimin ekonomik të saj”.
“Suksesi i brendshëm i Kosovës është i kufizuar në mënyrë të konsiderueshme nga sfida e saj e jashtme për arritjen e njohjes së plotë, e cila merr shumë vëmendje”, shkruan ai ndër tjerash në raport. “Institucionet e saj duhet të përfitojnë nga dividenti demografik duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe klasat e mesme, si dhe ofrimin e shërbimeve më të mira”.
Maliqi vlerëson se Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të kenë nevojë vendimtare për mbështetje nga Perëndimi, por thekson edhe nevojën “për të bërë lëvizje të guximshme”.
“Siç kanë treguar zhvillimet e muajve të fundit, prania e NATO-s në Kosovë ka qenë një faktor kyç që parandaloi përshkallëzimin e tensioneve etnike”, shkruan ai. Megjithatë Perëndimi “duhet të kuptojë urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme” sipas Maliqit, “duke i dhënë Ballkanit Perëndimor një perspektivë më të qartë, si dhe qasje në financim transformues”.
Raporti me titull “Kthimi në binarë: Zhbllokimi i perspektivës euroatlantike dhe zhvillimore i Kosovës”, u bë publik të martën në një konferencë të Këshillit Atlantik në Prishtinë, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe Ebru Özdemir – kryetarja e “Limak Group” të cilët e mbështetën raportin. Raporti i shkruar edhe për “përditësimin e audiencave të huaja që kanë një kuptim më pak i detajuar të rajonit dhe Kosovës”, siç thotë Maliqi, “përshkruan një këndvështrim se si mundet Kosova ta konsolidojë shtetësinë dhe sigurinë e saj gjatë dekadës së ardhshme”.







