Strakosha mungon sërish në grumbullimin e Shqipërisë

Thomas Strakosha humbet dy ndeshjet e Kombëtares me Islandën dhe Moldavinë.

Këtë herë nuk bëhet fjalë për një vendim të trajnerit, sikurse ndodhi me Panuccin për sfidat me Turqinë dhe Andorrën, por për shkak të një dëmtimi që nuk e lejon gardianin e Lazios që të jetë i gatshëm për të dhënë kontribut për kuqezinjtë.

24-vjeçari nuk u grumbullua nga Simone Inzaghi për ndeshjen e së hënës, Lazio – Bologna, pikërisht për shkak të këtij dëmtimi që e mundon prej kohësh. Strakosha ndien shqetësime fizike prej disa javësh, çka ka ndikuar në vendimet e Inzaghit për ta kursyer në takime të veçanta të Lazios, duke aktivizuar portierin e dytë, Proto, ndërsa në finalen e Kupës së Italisë, Strakosha bëri një sakrificë të jashtëzakonshme, duke zbritur në fushë me ndihmë e injeksioneve.

Ai bëri disa pritje vendimtare në finale me Atalantën, duke dhënë kontribut të çmuar në fitimin e trofeut.

Pikërisht aktivizimi në ndeshjen e fundit të Kupës së Italisë duket se e ka përkeqësuar gjendjen e tij, as sa të jetë e pamundur prania e tij me kuqezinjtë në dy ndeshjet e qershorit, në kuadër të eliminatoreve të “Euro 2020”.