Ivana Stradner

Stradner: Mund të presim përshkallëzimin e Putinit në Ballkan edhe këtë vit, Rusia zhvilloi fushatë dezinformimi para se të ndodhte Banjska

Fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit u shënuan nga një sërë ngjarjesh në dukje të lidhura. Diku rreth dyvjetorit të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, dhe në mes të një ofensive diplomatike të diplomatëve të BE-së për të përshpejtuar integrimin evropian në BeH, Presidenti i Bosnje-Hercegovinës nga entiteti Republika Srpska Milorad Dodik shkoi për të vizituar vendet që janë nën sanksione ku u takua me presidentët e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko dhe Rusisë Vladimir Putin.

Në një intervistë për Slobodna Bosna, profesoresha Ivana Stradner, studiuese amerikane e luftërave hibride ruse dhe këshilltare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni ka sqaruar se askush nuk mund të parashikojë se kur do të përfundojë lufta, por sipas saj një gjë është e sigurt.

Putini po bën një “luftë sfilitjeje” me synimin për ta bërë atë të zgjasë sa më gjatë. Ajo ka ndërlidhur edhe sulmin që u krye në Bansjkë në shtator të vitit të kaluar dhe dezinformatat që Rusia nisi pak para se ky sulm të ndodhte.

“ Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, sepse për të kjo është një luftë ideologjike për të lënë një trashëgimi”, tha ajo.

Sipas saj, Putini ka oreks për vendet baltike, Poloninë dhe fqinjët e tjerë.

“Gjithashtu, Putini dëshiron të krijojë një botë multipolare, dhe kjo është arsyeja pse ju shihni një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë midis ‘boshtit të ri të së keqes’ që përbëhet nga Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Moska gjithashtu dëshiron të tregojë se NATO është një tigër letre. Një gjë është e sigurt: Putini nuk dëshiron të negociojë. Ai do të përdorte çdo negociatë për të blerë kohë, për të riorganizuar ushtrinë dhe për të rritur armatimin”, shpjegoi Stradner.

Stradner më parë paralajmëroi se Rusia po bën një luftë hibride në BeH.

“Putinit nuk i intereson Ballkani për të pushtuar territorin. Ai e sheh Ballkanin ekskluzivisht instrumentalisht për të çuar përpara interesat e tij në Evropë. Gjegjësisht, Putinit i pëlqejnë konfliktet e ngrira, në mënyrë që t’i shkrijë gjithmonë kur i përshtatet kaosi. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të për shkak të Kosovës dhe BeH-së, të cilat janë pika të ndjeshme në rajon dhe që gjithmonë mund të ndezin dhe të çojnë në konflikt”, tha ajo.

Sipas Stradner, këtë Putini dhe Moska po e bën për dy qëllime.

“Së pari, për të larguar vëmendjen nga Ukraina dhe për të frikësuar Perëndimin se një front i ri do të hapet në Evropë nëse nuk bëjnë lëshime ndaj Moskës. Së dyti, Putini ka një qëllim strategjik për të treguar se si NATO është një tigër letre”.

“E pamë vitin e kaluar kur 90 anëtarë të NATO-s të KFOR-it u plagosën në përleshjet në veri të Kosovës, kur serbët u përleshën me policinë dhe pjesëtarët e KFOR-it. Disa muaj më vonë ndodhi Banjska”, shtoi Stradner dhe paralajmëroi se mund të presim një raund të dytë të përshkallëzimeve këtë vit dhe strukturat proruse në Maqedoninë e Veriut, gjë që do t’i ndërlikojë më tej gjërat në Kosovë dhe do të paraqesë një tjetër provë për NATO-n.

“Edhe në Bosnje Dodik po teston Perëndimin me ndihmën e Rusisë. Duhet mbajtur mend se Dodik e kërcënoi Schmidt-in për ta arrestuar dhe Perëndimi ka frikë nga përshkallëzimi i mëtejshëm”, komentoi Stradner.

Ajo kujton edhe fushatën dezinformuese që Rusia nisi para sulmit në Bansjkë.

“Në vitin 2023 ka qenë raundi i parë i përshkallëzimit, mund të presim raundin e dytë. Vitin e kaluar, media ruse zhvilloi një fushatë të fortë dezinformimi përpara Banjskës se Perëndimi po hapte një front të dytë. Ata gjithmonë e bëjnë këtë përpara se të përshkallëzohet. Operacionet informative i ndjek në detaje dhe narrativa që vjen nga Moska është pothuajse identike me atë të vitit 2023. E vetmja gjë e mirë është se disa në Perëndim e panë se çfarë po ndodhte, kështu që Britania e Madhe rriti numrin e ushtarëve në Kosovë, Gjermania gjithashtu”, paralajmëroi Stradner.

VIDEO BONUS: Në Kosovë ka nisur manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”