Mal të Zi

Stoltenberg pro-shpalljes ‘non-grata’ të gjashtë spiunëve rusë në Mal të Zi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka përkrahur vendimin e qeverisë malazeze për të shpallur non-grata gjashtë punëtorë të Ambasadës së Federatës Ruse të cilët dyshohen për spiunazh.

Stoltenberg ka thënë se Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për aleancën veri-atlantike.

“NATO solidarizohet me aleatin tonë të çmuar, Malin e Zi, që po merr masa për të mbrojtur sovranitetin dhe demokracinë përballë spiunazhit të Rusisë dhe aktiviteteve të tjera malinje destabilizuese. Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për aleancën tonë dhe mbesim vigjilentë”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Më 29 shtator, ministri në detyrë i jashtëm malazez, Ranko Krivokapiq, kishte bërë të ditur se autoritetet shtetërore po bëjnë arrestimin më të madh të spiunëve të dyshuar rusë në vend.