Stoltenberg: Pres nga Kurti dhe Vuçiq angazhim konstruktiv, NATO punon për Kosovë stabile e paqësore

Në Ohër sot do të zhvillohet takimi i radhës i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë ku do të diskutohet Aneksi i Implementimit i Propozimit Evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter” duke thënë se bisedimet e ndërmjetësuara nga BE janë të rëndësishme dhe se pret nga Kurti dhe Vuçiq angazhim konstruktiv për të bërë përparim.

“Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Ohër janë të rëndësishme dhe unë pres nga Vuçiq dhe Kurti për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe për të bërë përparim. Ky është çelësi për stabilitetin e qëndrueshëm dhe të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit. NATO-KFOR vazhdon të punojë për një Kosovë stabile dhe paqësore”, ka shkruar Stoltenberg.

Fillimisht Kurti do të zhvillojë takim me Shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Më pas, do të pësojë takimi i përbashkët me ndërmjetësuesit dhe Vuçiqin.

Borrell deklaroi dje se ka pranuar komentet e palëve në lidhje me aneksin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

“Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve”, tha Borrell më 17 mars, pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.

Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.