Jens Stoltenberg

Stoltenberg për median serbe: Çdo sulm ndaj qytetarëve në Kosovë përfshirë ngjarjen e Banjskës, është i papranueshëm

Çdo sulm, çdo dhunë ndaj qytetarëve në Kosovë është i papranueshëm. Ky është mesazhi që  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e dha në intervistën e gazetës serbeBlic.rs.

“Çdo sulm, çdo dhunë ndaj qytetarëve në Kosovë është i papranueshëm. Mesazhi është i njëjtë nëse bëhet fjalë për dhunën ndaj 93 anëtarëve të trupave të NATO-s në maj, apo për atë që ndodhi në Banjskë apo për ndonjë shembull tjetër”, ka thënë Stoltenberg, sipas të cilit rajoni i Kosovës është i rëndësishëm për NATO-n.

“Ne jemi të pranishëm këtu, ne kemi një histori këtu dhe ne përpiqemi kudo që të mundemi të ndihmojmë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit. Duhet respektuar shteti i së drejtës dhe përgjegjësit për dhunën duhet të përgjigjen. Ne kemi nevojë për hetime, kemi nevojë për një proces ligjor për të siguruar që të gjithë njerëzit të mund të lëvizin dhe të jetojnë të lirë dhe të sigurt. Kjo është detyra kryesore e NATO-s, për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët. NATO ka shtuar praninë e saj në veri të Kosovës për të përmbushur mandatin e saj”, u shpreh ai.