Stoltenberg në Serbi: Gjatë vizitës së Thaçit në Ujman nuk pati operacion ushtarak
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkoi në veri, askush nga zyrtarët e lartë botërorë nuk ka dashur t’i lajmërohet, përveç shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Gjysma e atyre burokratëve botëror fshihet, Jensin menjëherë e kam marrë dhe kjo ka ndikuar shumë në qetësimin e situatës, ai nuk u fsheh”, tha sot Vuçiq në Mladenovac dhe ka shtuar se beson se me Stoltenbergun do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen.
Ai tutje ka thënë se shpreson se situatë e tillë siç ishte më herët në veri nuk do të ketë.
Ai ka sqaruar se askush nga autoritetet serbe nuk e ka ditur se në veri të Kosovës do të vijnë “njerëz me tyta të gjata, me pushkë automatike dhe me snajper”, transmeton ballkani.info.
“A e ka fitur EULEX-i dhe NATO, këtë nuk e di, por askush nga policia rajonale nuk e ka ditur. Askush në Serbi nuk ka ditur asgjë për idenë e Thaçit që të hyjë me njësi speciale”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se për hyrjën e trupave të armatosura shqiptare në veri të Kosovës duhet leje e NATO-s dhe pajtueshmëri me bashkësinë lokale serbe.
Ai ka shtuar se serbët nuk janë pyetur për këtë shkuarje.
Në anën tjetër, sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar në Mladenovac se misioni i KFOR-it do të vazhdojë të operojë në Kosovë, si dhe ky mision ka reaguar me rastin e zhvillimeve në Ujman.
Stoltenberg ka thënë se pjesëtarët e KFOR-it kanë dalë në terren dhe nuk kanë parë asnjë operacion ushtarak apo që dikush po arrestohet.
Ai ka shtuar se me këtë rast menjëherë është dëgjuar me presidentin e Serbisë, por se ka folur edhe me liderët tjerë, si dhe me udhëheqësit e Kosovës. /Ballkani.info/