Stërvitje

Stërvitjet Kore e Jugut-Japoni-SHBA janë versioni aziatik i NATO-s, thotë Pheniani

Koreja e Veriut kritikoi një stërvitje të përbashkët ushtarake nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të mbajtur këtë muaj, sipas medias shtetërore të dielën, duke thënë se stërvitje të tilla tregojnë se marrëdhëniet midis tri vendeve janë zhvilluar në “versionin aziatik të NATO-s”.

Të enjten, të tri vendet filluan stërvitjet e përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë të quajtur “Freedom Edge” duke përfshirë shkatërruesit e marinës, avionët luftarakë dhe aeroplanmbajtësen amerikane me energji bërthamore “Theodore Roosevelt”, me qëllim rritjen e mbrojtjes kundër raketave, nëndetëseve dhe sulmeve ajrore, raporton Reuters.

Stërvitja u planifikua në samitin trepalësh në Camp David vitin e kaluar, për të forcuar bashkëpunimin ushtarak mes tensioneve në gadishullin Korean që rrjedhin nga testimi i armëve të Koresë së Veriut.

“Pheniani nuk do të injorojë forcimin e një blloku ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, dhe do të mbrojë paqen rajonale me një përgjigje agresive dhe dërrmuese”, ka thënë në një deklaratë ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, sipas agjencisë së lajmeve KCNA.

Ministria ka thënë gjithashtu se Washingtoni po vazhdon përpjekjet e tij për të lidhur Korenë e Jugut dhe Japoninë me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duke shtuar se përpjekjet e Koresë së Jugut për të furnizuar me armë Ukrainën janë një shembull i kësaj përpjekjeje.

Ministria e Mbrojtjes e Seulit ka thënë ndërkaq në një deklaratë se stërvitja “Freedom Edge” ishte në përgjigje të programit bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut, ndërsa hodhi poshtë kritikat e Phenianit.

Koreja e Jugut ka thënë se do të shqyrtojë mundësinë e furnizimit me armë direkt në Ukrainë, në shenjë proteste kundër një pakti të mbrojtjes reciproke të nënshkruar mes liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Korenë e Veriut për furnizimin e Rusisë me armë që po përdoren në luftën në Ukrainë. Si Rusia ashtu edhe Koreja e Veriut mohojnë çdo transaksion të tillë.