INTERPOL

Stefanoviq: Kam frikë se Kosovën po e ndihmojnë ndërkombëtarët për anëtarësim në INTERPOL

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ka ngjallur reagime të shumta në Serbi.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se pranimi i mundshëm i Kosovës në INTERPOL do të ishte në kundërshtim të politikave ligjore të kësaj organizate.

Sipas tij, në bazë të Rezolutës së INTERPOL-it, që të anëtarësohet një vend në këtë organizatë duhet të jetë anëtarë i OKB-së apo vëzhgues në këtë organizatë, siç është rasti i Palestinës, transmeton lajmi.net.

“Kosova as nuk është anëtare e as nuk është vëzhguese në OKB, prandaj nga këndvështrimi ligjor ky aplikacion nuk duhet të merret parasysh fare. Nuk besoj që anëtarët e INTERPOL-it do të votonin kundër rezolutës së tyre”, deklaroi sot Stefanoviq.

Tutje Stefanoviq u shpreh i frikësuar se pavarësisht kësaj, Kosova mund të anëtarësohet në INTERPOL, për vet faktin se këtë vit gjërat kanë ndryshuar. Sipas tij, këtë vit Kosova ka mbështjetjen e madhe të shteteve që e kanë njohur.

Ai kujtoi vitin e kaluar kur Kina refuzoi ardhjen e delegacionit kosovarë në selinë e INTERPOL-it dhe pas kësaj Kosova tërhoqi aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, përcjell lajmi.net.

Sipas tij, duke e pas parasysh që këtë vit gjërat kanë ndryshuar dhe shtetet kryesore anëtare të INTERPOL-it po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës, kjo do ta bënte edhe më të vështirë pëpjekjen e Serbisë për ta ndaluar një gjë të tillë.

“Vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë duke lobuar te të gjitha shtetet që mendojnë se mund të votojnë për pranimin e Kosovës në INTERPOL. Madje këto vende po u ofrojnë atyre edhe të gjitha shpenzimet që të ndikojnë edhe te vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaroi gjatë ditës së sotme Stefanoviq, transmeton lajmi.net.

Në një konfeencë për media, Stefanoviq është pyetur se cilat janë argumentet e Serbisë që do të mund ta parandalonin anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ai ka përmendur rezolutën e INTEROL-it, Rezolutë kjo që sipas tij e përcakton qartë se kush mund të jetë anëtarë i kësaj organizate.

Stefanoviq gjithashtu vlerësoi se pranimi i Kosovës në INTERPOL do të ishte një precedent politik sepse kjo organizatë do të tregonte se nuk mori parasysh argumentet profesionale, por politike.

Duke folur për argumentet politike, Stevanoviq, tha se qëllimi i Kosovës nuk është që të anëtarësohet në INTERPOL që të luftojë krimin, por që sipas tij, përmes INTERPOL-it Kosova po pretendon që të bëhet edhe anëtare e OKB-së.

“Nëse duan të luftojnë krimin, le të ndalojnë kontrabandën e drogës, le të ndalojnë kontrabandën e drogës që po bëhet përmes Kosovës dhe Metohisë, le të dëshmojnë në praktikë se ata duan ta bëjnë këtë”, deklaroi Stefanoviq, duke shtuar se Kosova nuk është një vend që i lufton këto dukuri pasi që sipas tij, në vazhdimësi po shihen krimet që po bëhen ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.