Stefanoviq: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, do t’u lejonte terroristëve qasje në të dhënat ndërkombëtare

Serbia po shfrytëzon format e ndryshme të mbushë mendjen e shteteve për mospërkrahjen e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL. Së fundi, është zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, i cili ka thënë se pranimi i Kosovës në INTERPOL, do t’u mundësonte terroristëve qasje në bazat e të dhënave të kësaj organizate ndërkombëtare policore.

Siç shkruajnë mediat serbe, Stefanoviq ka thënë se nga Kosova numër i madh i qytetarëve shkuan dhe ende vazhdojnë të luftojnë për ISIS-in dhe se autoritetet e Prishtinës kanë politikë shumë dashamirëse ndaj njerëzve të cilët janë të përfshirë në radhët terroriste.

“Është e qartë se nuk ka asnjë angazhim as vullnet për të kundërshtuar këtë lloj të radikalizmit dhe rekrutimit të këtyre njerëzve, të cilët japin jetën në aktet më të rënda terroriste në Siri tani, dhe nesër kush e di, ndoshta i bëjnë diku në Evropë”, ka thënë Stefanoviq.

Ai thotë se nëse teorikisht imagjinojmë mundësinë që Kosova të bëhet anëtare e INTERPOL-it, është e qartë se çfarë lloj “kutie të Pandorës” do të hapet.

Vendimet rreth kësaj çështjeje, thotë ai, duhet në mënyrë të veçantë t’i rishikojnë vendet që po bëjnë presion mbi vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për të votuar për pranim në INTERPOL, shkruan Metro.

Ndërkohë dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit SHBA-së dhe Britania e Madhe mbështetën fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL si dhe bënë thirrje te shtetet që janë të pavendosura ose kundër të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.