Statovci: Projektligji i sotëm synon vendosjen e marzhës për produktet esenciale

Gjatë ditës së sotme deputetët në rend dite e kanë në shqyrtim të parë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Ekonomi, Jeta Statovci, në Sytë 7 në Klan Kosova tha se kjo iniciativë erdhi si shkak i krizës së rritjes së çmimeve gjithandej.

“Për produktet e importuara edhe në vendet bazë të origjinës ka rritje të çmimit, por edhe në logjikën e operatorëve ekonomikë është maksimizimi i profitit, por edhe në logjikën tonë është ruajtja e interesit qytetar”.

Deputetja e “Guxo” në kuadër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në Sytë 7, tha se me këtë projektligj “janë rreth 14 produkte të cilat parimisht janë, buka, orizi, pastat dhe produkte të ngjashme, si dhe lëndët djegëse, druri”, që do të përfshihen në përcaktimin e marzhës.

Përmes kësaj pretendohet të zbritet çmimi i këtyre produkteve për konsumatorët.

Statovci tha se qeveria aktualisht po e implementon përcaktimin e çmimit tavan për produktet e naftës çka, sipas saj, po tregon sukses.