Standardi i dyfishtë i Vjosa Osmanit, sot bën thirrje për kujdes, por për tubimin e VV-së nuk e tha asnjë fjalë!

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta sjellë në Kuvend Ligjin për Parandalimin e Pandemisë COVID-19 për t’u miratuar, pas raportimit për 6 vdekje të reja të shtunën nga koronavirusi.

“Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe”, shkruan Osmani në Facebook.

Kryeparlamentarja ka bërë thirrje që Ligji kundër COVID-19 që është iniciuar në Kuvend, duhet të amandamentohet e më pas të miratohet.

Mirëpo, kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk kishte reaguar kur në shesh në mes të pandemisë, Lëvizja Vetëvendosje kishte tubuar mijëra njerëz. Shumica nga të mbledhurit ishin pa maska dhe nuk mbanin fare distancë njëri me tjetrin, shkruan Ballkani.info.

Në mesin e pjesëmarrësve dhe folësve në këtë tubim ishin krerët e VV-së, duke përfshirë kryetarin Albin Kurtin. Aty u shfaq edhe ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Vitia dhe VV-ja ishin kritikuar ashpër për këtë tubim.

Madje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte thënë ditë më parë se rritja e numrit të të infektuarve në vend ka ardhur pikërisht si pasojë e tubimit të VV-së. /Ballkani.info/