Sindikata e Prokurorisë Speciale të Kosovës dje ka hyrë në grevë, për shkak se nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre.

Sindikata, thotë se trajtimi i stafit mbështetës të PSK-së nuk është i drejtë, është diskriminues dhe bie ndesh me parimet bazë të marrëdhënies kontraktuale.

Gjatë një takimi të mbajtur më 01 shkurt të Sindikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe manaxhmeni i KPK-së, stafi mbështetës i PSRK kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me Ligjin për Pagat.

“Referuar Ligjit në fjalë, shihet se trajtimi i stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale dhe nuk është i drejtë, është diskriminues dhe bie ndesh me parimet baze te marrëdhënies kontraktuale, parimin e mos-diskriminimit, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare në lidhje me të drejtën për pagë të barabartë dhe të dinjitetshme”.

Trajtimi i stafit të Prokurorisë Speciale me këtë Ligj thuhet është denigrues dhe demotivues për funksionim normal të punës andaj nëse koeficienti për PSRK mbetet ashtu siç është në Ligj, do të vihet në pikëpyetje të madhe një funksionimi efektiv dhe normal i kësaj Prokurorie.

“Siç mund të shihet nga miratimi i Ligjit për paga, pothuajse të gjithë stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale u janë zbritur pagat bazë deri në 50%, si dhe janë larguar të gjitha shtesat aktuale, duke përfshirë shtesën për përkrahje të prokurorisë Speciale për stimulim të luftimit të Korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër paga e paraparë në projektligjin e ri të propozuar për paga, do të rrezikoj ekzistencën sociale të stafit mbështetës në PSRK. Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së kërkon që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e punës në Prokurorinë Speciale, rrezikshmërinë dhe duke u bazuar në faktin se Gjyqësori është ekuivalent me legjislativin dhe ekzekutivin si pushtete të ndara, ashtu siç është përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Të mos zbriten pagat e stafit mbështetës si dhe të përfshihen të gjitha shtesat aktuale në Ligjin e ri të pagave si pagë bazë”.

Nga kjo sindikatë është kërkuar të tërhiqet ligji në fjalë, duke rishqyrtuar atë dhe përmirësuar konform kërkesave të tyre dhe parimeve baze të mos-diskriminimit, pagës së njëjtë për punën e njëjtë, duke u bazuar në rendësin e pozitës dhe vendeve të punës.