Forca e Sigurisë së Kosovës sot po shënon “Ditën e Forcës” - 27 Nëntorin, me një ceremoni zyrtare ku po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe pjesëtarë të FSK-së.
Në këtë ceremoni, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të vendit.
Ai tha se kjo ditë i bashkon të gjithë rreth përkushtimit për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
“Ditë që na bashkon, ditë që tregon për përkushtimin tonë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Republikës sonë. Kjo pasqyrohet përmes punës dhe angazhimit të secilit dhe secilës që shërben në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Maqedonci.
Gjatë fjalës së tij, ministri Maqedonci ka përmendur edhe investimet në ushtri, si pjesë e angazhimeve për fuqizimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.






