Ndarja e medaljes është bërë të premten, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës.

Në një postim, Maqedonci ka vlerësuar rrugëtimin e Jasharit, duke kujtuar se ai ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari gjatë luftimeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku kishte luftuar përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit.

“Pas asaj qëndrese, ai vazhdoi angazhimin si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditët e çlirimit të vendit, në qershor të vitit 1999. Pas luftës, Gjeneral Jashari vazhdoi karrierën ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, fillimisht si zëvendëskomandant e më pas si komandant i Zonës së Parë Mbrojtëse. Me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, duke kontribuar në proceset e rëndësishme të zhvillimit dhe tranzicionit të saj. Në nëntor të vitit 2021, ai u emërua Komandant i FSK-së”, ka shkruar Maqedonci.

Jashari u emërua komandant i FSK-së në nëntor të vitit 2021. Sipas Maqedoncit, gjatë pesë vjetëve në këtë detyrë, ai udhëhoqi procese të rëndësishme për transformimin dhe fuqizimin e Forcës, ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe thellimin e bashkëpunimit me vendet aleate, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jasharit i përfundon mandati më 30 nëntor. Enver Cikaqi pritet të jetë pasardhësi i tij.