Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.

Sipas Sveçlës, gjatë aksionit njëra nga veturat e dyshuara ka tentuar t’i ikë Policisë, duke shkaktuar aksidente trafiku. Për ta ndaluar atë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit.

Ministri ka bërë të ditur se njëra nga veturat e përfshira në rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale.

Për këtë arsye, në hetimin e rastit është angazhuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet të sqarojë rrethanat dhe dyshimet për përfshirjen e zyrtarit policor.

Sveçla ka thënë se nuk do të tolerohet asnjë individ apo zyrtar që shkel ligjin ose përfshihet në veprimtari kriminale, duke theksuar se do të ndërmerren veprime për të larguar nga radhët e Policisë çdo person të lidhur me krimin.