Spitali i premtuar gjatë fushatës në Podujevë nuk përfshihet në buxhetin e vitit 2021

Kryetari i ri i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas votimit të Ligjit për buxhetin e vitit 2021.

Ai është ndalur te spitali i përgjithshëm në Podujevë, i premtuar tash nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Podujevë.

Zemaj, më 23 nëntor, pak ditë para zgjedhjeve të fundnëtorit në Podujevë, premtoi ndërtimin e spitalit në Podujevë dhe prezantoi projektin siç tha ai, të finalizuar.

Projekti ishte parë si politik, pasi ishte prezantuar në kohë fushate.

“Së bashku me u.d. drejtorit të ShSKUK-së, dr. Saudin Maliqin, deputetin Ekrem Hyseni dhe përgjegjësin e Spitalit të Podujevës, Afrim Tahiri, kemi prezantuar projektin e sapofinalizuar për ndërtim të spitalit të Podujevës. Spitali do të ketë sipërfaqe rreth 7.700 m2 do të ofrojë shërbimet si: Diagnostika (Laboratorët me Radiologji), Ambulancat Specialistike, Shërbimi Emergjent, Mjekësia Interne, Kirurgji dhe Ortopedi, Gjinekologji dhe Neonatologji dhe Pediatri. Llapi meriton spital me kushte dhe shërbime për shumë arsye”, pati shkruar Zemaj, duke shpalosur edhe foto të maketit se si do të duket spitali.