Spitalet në Kosovë mbushen me pacientë, cilat janë përgatitjet nëse përkeqësohet situata?

Numri i rasteve të infektuara me virusin Covid-19, po vazhdon të jetë i lartë në vend. Kësisoj, edhe spitalet rajonale kanë filluar të mbushen me pacientë.

Nga këto të fundit thonë për Express, se është duke u rritur numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësorë.

Vetëm në spitalin e Pejës, momentalisht janë duke u trajtuar 117 pacientë të infektuar me virusin Covid-19.

Zyra për informim në këtë spital ka bërë të ditur se kanë liruar disa klinika për trajtimin e rasteve me këtë virus.

Sipas tyre, janë liruar 166 shtretër për këta pacientë.

“Ne deri më tani kemi liruar ekskluzivisht vetëm për pacientet me Covid-19, katet e Spitalit te Mushkërive, repartin e Infektives, internos, psikiatrisë, neurologjisë dhe dermatologjisë. Gjithë këto reparte bashkërisht kanë 166 shtretër”, kanë thënë ata.

Nga ky spital kanë ngritur çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë.

Sipas zyrës për informim, 29 punëtorë shëndetësorë janë të infektuar me Coronavirus.

“Ne kemi 10 mjek, 12 infermier dhe 7 nga shërbimi teknik të infektuar, dhe kjo padyshim që është mungesë e madhe për spitalin në kryerjen e detyrave. Përsëri mund të themi se deri më tani ja kemi dalur në ofrimin e shërbimeve pasi kemi bërë lëvizje të brendshme për të plotësuar nevojat për personel aty ku ka qenë e nevojshme”, është thënë për Express.

Në anën tjetër, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka deklaruar se në 10 ditët e fundit është rritur numri i pacientëve me Covid-19 që po kërkojnë trajtim në këtë spital.

Ai ka thënë për Express, se 57 pacientë me Covid-19, janë të shtrirë në këtë spital.

Sipas tij, momentalisht 135 shtretër janë të dedikuar vetëm për rastet me Coronavirus.

“57 pacient me Covid janë të shtrirë në spital. Ne kemi 408 shtretër gjithsej, 135 shtretër për momentin i kemi për Covid-19. Varësisht sipas nevojave, ne jemi të gatshëm për të liruar përsëri shtretër tjerë”, ka thënë ai.

Ndërsa, në Spitalin e Gjilanit, 123 pacientë janë duke marrë trajtim mjekësorë.

Drejtori klinik i këtij spitali, Ukshin Ismaili, tha sot para mediave se nga 123 pacientë të shtrirë në spital, 77 janë të konfirmuar me Covid-19.

“Janë 123 pacientë në spital, 77 janë  të konfirmuar  me virus, pjesa tjetër janë me terapi. Në po mundohemi ta bëjmë më të mirën e mundshme, duke iu falënderuar edhe investimeve që janë bërë”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të fundit të Shërbimit Klinik dhe Universitarë të Kosovë në QKUK dhe spitalet tjera rajonale janë 901 pacientë me Covid 19 apo edhe të dyshuar për këtë virus të rrezikshëm.