“Nuk presim asgjë të re nga një vizitë tjetër e presidentit të Serbisë, përveç se ai do të përsërisë premtimet e tij dhe do të nisë një përpjekje që do t’i sjellë më shumë përfitime atij dhe njerëzve të tij”, komentoi Stanisha Kostiq nga Vranja.

Që në mëngjes herët në Sallën e Sporteve në Vranjë ka filluar dekorimi i ambientit dhe vendosja e skenës nga ku Aleksandar Vuçiq do t’u drejtohet qytetarëve të Serbisë jugore në fillim të fushatës së tij të një natyre ekskluzivisht politike, siç komentohet atje. Në sallën e Vranjës, në të dyja tribunat dhe në dyshemenë e këtij objekti sportiv, pritet që të jenë rreth 5 mijë qytetarë.

– Sigurisht që do të ketë “mysafirë mbështetës” nga komunat fqinje në jug të Serbisë, në radhë të parë Leskovci, Vllasotinaci, Medvegja, kështu që fillimi i vizitës mund të shënohet nga një numër prej gjashtë deri në tetë mijë njerëz – vlerësojnë burimet nga partia e Vuçiqit.

Pritet që për shkak të imazhit të vizitës, një pjesë e përkrahjes së qytetarëve të shpërndahet edhe në komunat e Bujanocit, Trgovishtes dhe Bosilegradit, ku pas tubimit do të qëndrojë presidenti i Serbisë.

Të paktën disa autobusë nga Anamorava e Kosovës – Kamenicës, Ranillugut, Ropotovës dhe Novobërdës, ku jetojnë serbët, të cilët mbështesin politikën e progresistëve përmes Listës Serbe, të jenë pjesë e këtij tubimi.

Qytetarët po pyesin edhe një arsye tjetër për vizitën e presidentit të Serbisë në pjesën më të varfër të vendit, pavarësisht se punëtorët e kompanive Jumko, Simpo, si dhe ndërmarrjet publike do të duhet të “duartrokasin” me stomakun bosh. Në Vranjë është evidente se nuk ka eufori, as pritje, raportojnë mediat e pavarura serbe.

Siç është paralajmëruar, Vuçiq do të vizitojë shkollën fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc, ku punimet për rindërtimin e këtij objekti janë duke u zhvilluar, por nuk është planifikuar takim me liderët e vetëqeverisjes lokale të udhëhequr nga Nagip Arifi nga Partia Demokratike Shqiptare, as takime me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KSHK) Ragmi Mustafa. /Ballkani.info/