Spektakël në Munich, Bayern fiton tri pikë kundër Koln

Kampioni i Gjermanisë pas barazimit kundër Borussia Monchengladbach 1-1 në javën e parë, ka fituar sonte me rezultat 3-2 kundër Kolnit në Bundesligë. Lewandowski (50) dhe Gnabry (59, 71) shënuan për Bayernin kurse për Koln shënuan Modeste (60) dhe Uth (62)

Bayern Munich e ka shijuar fitoren e parë për këtë sezon në Allianz Arena ku e ka mposhtur skuadrën e Kolnit me rezultat 3-2.

Pjesa e parë kaloi pa shumë shanse për të dyja skuadrat dhe me rezultat të barabartë. Lewandowski kishte një mundësi më të mirë për të shënuar për Bayernin në minutën e tetë po topi përfundoi shumë pranë shtyllës së majtë të portës së Koln.

Sule do të rrezikonte përsëri për Bayernin në minutën e 24-të por goditja e tij u devijua në korner. Alphonso Davies do të rrezohej në zonë për Bayernin por VAR nuk dha penallti për kampionët gjerman.

Pjesa e parë do të përfundonte me një mundësi të mirë për të shënuar nga Gnabry, por goditja e tij përfundojë jashtë.

Bayern megjithatë do të shënonte gol me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në pesë minutëshin e parë të saj. Musiala depërtoi mirë në zonë dhe asistoi për Robert Lewandowskin i cili shënoi gol në minutën e 50-të.

Nga minuta e 59-të deri në të 62-tën do të shënoheshin tri gola të shpejtë. Muller bëri një pasim maestral për Serge Gnabry i cili shënoi golin e dytë të Bayernit në minutën e 59-të.

Në minutën e 60-të ishin mysafirët që reaguan për ta ngushtuar rezultatin në 2-1 me anë të Anthony Modeste.

Koln barazoi rezultatin në minutën e 62-të. Kësaj radhe ishte Marco Uth që shënoi për barazimin e rezultatit.

U desh të vije minuta e 71-të që për Bayernin të shënonte Serge Gnabry dhe kampioni i Gjermanisë t’i ndal tri pikët e tyre në shtëpi.

Bayerni pas kësaj fitoreje ngritet në vendin e katër me katër pikë në Bundesligë.