Ylli kosovar

Spanja duket e pandalshme, por Arbër Hoxha është optimist

Përfaqësuesja e Spanjës tashmë ka kaluar në fazën nokaut të Evropianit në Gjermani. Spanja fitoi 3:0 ndaj Kroacisë dhe mposhti 1:0 Italinë në ndeshjen të cilën e dominoi plotësisht.

Të hënën nga ora 21:00, Shqipëria takohet me Spanjën në Duesseldorf. Kuqezinjve u duhet fitorja për të shpresuar për kalim në një të tetën e finales. Ndonëse spanjollët deri më tani janë dukur të pandalshëm, në kampin e Shqipërisë ka optimizëm.

Shqipëria të enjten nisi përgatitjet për ndeshjen e fundit në grup. Të premten i gjithë fokusi ishte te ndeshja e ardhshme me spanjollët.

Arbër Hoxha, që hyri si zëvendësues dhe ishte vendimtar në barazimin 2:2 me Kroacinë, foli në konferencë për shtyp të premten.

“Në ndeshjen me Kroacinë u paraqitëm më mirë. U futëm ndryshe në fushë, shënuam gol, pësuam dy, por nuk u dorëzuam dhe realizuam sërish e barazuam. E kemi harruar ndeshjen me Kroacinë dhe tani jemi të fokusuar vetëm te Spanja. Besoj që do të arrijmë fitore”, ka thënë Hoxha.

Shqipëria fillimisht humbi 2:1 nga Italia e më pas barazoi me Kroacinë. Me këto dy përfaqësuese Spanja nuk ka pasur fare telashe.

Por fakti se Spanja ka siguruar kualifikimin mund të shkojë në favor të kuqezinjve.

“Spanja ka përfaqësuese të jashtëzakonshme. Beri një ndeshje të shkëlqyer me Italinë. Duhet të kemi një qasje të mirë në ndeshjen e radhës dhe të tentojmë fitoren. Shpresoj që të kualifikohemi. Na duhet fitorja për të kaluar më tej”, ka shtuar sulmuesi i krahut, Hoxha.

Në kampin e Shqipërisë janë trimëruar pas paraqitjes së mirë ndaj Kroacisë. Në fakt për periudhë të gjatë në pjesën e dytë Shqipëria kishte telashe të mëdha në atë ndeshje, por u kthye me gol në minutat shtesë.

“Duhet të futemi në fushë dhe të japim 100 për qind. Spanja është ekip që luan me topin dhe e mban atë shumë mirë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë. Nga ndeshje në ndeshje ne jemi paraqitur më mirë. Besoj që në ndeshjen me Kroacinë kemi luajtur më mirë se me Italinë. Kemi sulmuar dhe kemi krijuar më shumë”, ka thënë Hoxha, që luan për Dinamo Zagrebin në Kroaci.

Të hënën prej orës 21:00 është edhe ndeshja mes Kroacisë dhe Italisë. Grupi B mbetet shumë i hapur sa i takon kalimit tutje.