SPAK

SPAK siguron dokumentet, pronarja e Top Channel dyshohet për pastrim parash te pagesat nga afera e inceneratorëve

Vjollca Hoxha, një nga pronaret e “Top Channel” tashmë është nën hetim zyrtarisht nga SPAK-u, raportojnë mediat shqiptare, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Sipas të njëjtave raportime, e veja e të ndierit Dritan Hoxha, është thirrur në SPAK, dhe po ashtu raportohet se banesa e saj është bastisur në lidhje me aferën e inceneratorëve dhe pagesave që ka marrë televizioni “Top Channel” gjatë kohës që Vjollca Hoxha ka qenë administratore e këtij televizioni.

Sipas portalit “CNA“, që thirret në burime të konfirmuara, “nga Bullgaria kanë ardhur dokumentet ku janë konfirmuar pagesat prej 1.5 milionë euro të kompanisë “EM Capital Group” ku aksionerë ishin Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe shtetasja Eva Blushi, bashkëshortja e ish-deputetit të LIBRA-s dhe ish-deputetit socialist, Ben Blushi”. Në atë kohë, ky i fundit ishte drejtor i Përgjithshëm i “Top Channel”.

“Vjollca Hoxha ka firmosur një kontratë me kompaninë “EM Capital Group” për shitjen e aksioneve të “Valtelina Caffe”, e njohur ndryshe si brand-i “Lori Caffe”. Shuma e shitjes 2.2 milionë dollarë, 1. 6 milionë do të paguheshin direkt, ndërsa 600 të tjera do të paguheshin me këste 100 mijë euro në muaj”, raporton mediumi shqiptar, përcjell Reporteri.net.

“Gjithashtu janë mbledhur të dhënat dhe është hetuar edhe në lidhje me një kompani tjetër ku aksionere ishte Stela Gugallja dhe Vjollca Hoxha”.

Sipas mediumit shqiptar, Mirel Mërtiri, “Top Channel”-in e ka pasur dhe e ka ende një media në shërbim, ku ka strehuar edhe njerëzit e tij. Ai e ka përdorur “Top Channel”-in së bashku me Klodian Zoton për sulme kriminale ndaj prokurorëve të SPAK-ut, thotë raportimi.

Sipas CNA, “Top Channel i ka shërbyer bandës së inceneratorëve në krimin dhe vjedhjen monstruoze që u është bërë shqiptarëve me një kontratë koncesionare monopoliste për ndërtimin e një inceneratori që nuk ekziston, por që shqiptarëve dhe biznesit u ka kushtuar të paktën 130-150 milionë euro, nga të cilat disa miliona euro janë marrë prej “Top Channel” me fatura të drejtpërdrejta, me shkëmbime, me shitje kuotash, kthimin e tyre pa asnjë lek dhe deri te pagesat për dhjetëra kompani të ndryshme, të gjitha në selinë e “Top Channel””.

Vjollca Hoxha vazhdon të jetë në hetim në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe ortakëritë që ka pasur me ta, ka dyshime për pastrim parash dhe pas mbylljes së hetimeve pritet që prokurorët të çojnë aktet e tyre në gjykatë dhe atje do të mësojmë a do të kemi një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj pronares së “Top Channel”, e cila e ktheu televizionin kombëtar në një shërbëtor të një kontrate koncesionare plehrash, raporton mediumi shqiptar.